|
|
| |
| PROZA
JONË - HETIMET (I) |
- vijon nga numri i kaluar -
Ofshante pandërprerë. Djersët i pikonin nga balli.
Ndjehej i rraskapitur. Kaluan disa minuta, por dhembjet
nuk i pushonin. U mbështet me shpinë për muri, duke
ofsharë sa herë që mirrte frymë. E shpeshtoi me
qëllim frymëmarrjen, në mënyrë që nga ajri i ftohtë
t’i mëkojë sado pak dhembjet. Por edhe për të mos
pasur kohë për t’i "përgjuar" pulsimet e pandërprera
të dhembjeve që po e luanin mendësh. Me ujë-urinë
i prekte kohë pas kohe plagët. I bëhej sikur ujë-urina
po ia zbuste dhembjet. Edhepse i stërlodhur, me
plagë të panumërta në trup, Arbeni ia nisi ta analizojë
jetën, të cilën, si poet që ishte, e kundronte paksa
më ndryshe. Tani, për kaq ditë kish zënë ta shihte
atë nga një kënd i veçantë, tejet tragjik. Ia nisi
të gjykojë për veten, si dhe për rrethanat në të
cilat ndodhej. Bëri krahasime mes vetes dhe botës
që e rrethonte. E pa veten shumë të pafuqishëm për
të ndërruar gjendjen e gjërave.
Dhuna, të cilën ky për herë të parë po e ndjente
kaq thellë në lëkurë, por e cila, kish frymuar përherë
aty, si kafshë e strukur në gjysmëterr, e kish ndërruar
botën e tij me themel. Ndjente, për herë të parë
në jetë, urrejtje të mirëfilltë për disa vetë, të
cilët ishin njerëz si ai. S’e kish ndjerë kurrë
më parë këtë emocion trazues. Urrente disa herë
më shumë se sa i kish thënë mendja se mund të urrejë
qenia e tij prej poeti. I urrente këta sadistë,
por edhe mësuesit e tyre. Pastaj, i urrente qëllimet
e tyre, projektuesit e këtyre qëllimeve. Mirëpo,
urrjejtja vërshonte edhe më tej, si lum i tërbuar
që del prej shtratit e merr me vete gjithçka që
ka para. Ndjeu se i urrente edhe të gjithë të tjerët,
ata që kishin mundësi ta ndalin këtë tmerr, ata
që dinin për të e shtiheshin sikur s’po ndodhte
gjë, por edhe ata që nuk e dinin, ata që s’ishin
lodhur ta marrin vesh, që vazhdonin t’i jetojnë
jetët e veta komode mënjanë, me gratë e fëmijët
e vet, të lumturit që ishin fqi të parë me këto
kthina të tmerrit.
Ish zhgënjyer, si asnjëherë më parë, në tërë racën
njerëzore. Ndjeu përsëri dhembje të papërballueshme
në kryqe dhe në shpinë. -Oh nëna ime, më mbytën
krejt! Oh nëno!… Secili i burgosur që shtrëngohet
fort në darët e dhunës nuk e përjeton qenien e vet
në përmasa reale, njerëzore. Për të mbijetuar, ai
duhet ta krijojë një botë të veten, si Perëndia.
Atje ai struket thellë, në shpjegimet e veta të
hollësishme, në ahmarrjet e veta çmeritëse kundër
lënduesve të vet. Por, të burgosurit ndryshojnë
edhe në sytë e të tjerëve. Atyre, padiktueshëm,
pak nga pak, u ndryshohen edhe cilësitë shpirtërore:
bëhen më të ndjeshëm, më të vëmendshëm ndaj cikërrimave,
shpesh herë më frikacakë, më pesimistë e, mbi të
gjitha, më nevrikë. Por, fatbardhësisht, këtë ndryshim
ata nuk e vërejnë, ashtu siç nuk e vërejnë njerëzit
pleqërinë e vet. Arbenit në këtë moment iu duk se
vuajtjet e tij ishin shumë afër për t’u quajtur
të padurueshme, ndaj iu mbushën sytë me lot: sa
për shkak të rrahjeve të pamëshirëshme, aq edhe
për këtë lënje lakuriq, të cilën ky e përjetonte
si një poshtërim të tipit të kafshërisë. Iu ngjall
përsëri ironia, shigjeta e tij e heshtur. Njeriun
këta, sa çil e mbyll sytë, po e kthekan në epokën
e gurit.
Fundja, nuk njohin rregulla tjera; udbashët shpirtërisht
i përkasin asaj periudhe. Prapë i erdhi për të përmjerrë.
U përpoq të ngrihet përsëri në këmbë, po dhembjet
iu çuan peshë. Megjithatë, e kuptoi që duhet të
ngritet patjetër. U mbajt për muri, pastaj dalë-ngadalë
u ngrit në këmbë. Megjithëse kish nevojë, nga therrjet
e penisit nuk u përmjerrë dot deri në fund. I shkoi
mendja të ulej sërish në dysheme. Atypëraty ndërroi
mendjen, hoqi dorë nga ky mendim. Më mirë të eci
pak, tha vetmevete. Ia filloi të vërtitet nëpër
kthinë. E kish përshtypjen sikur ujë-urina, tashmë
e ftohtë, po ia flladiste dhembjen e shputave, të
cilat sërish iu kishin enjtur nga rrahjet e pakmëparëshme.
Iu bë se edhe shpina iu kish enjtur. E ndjente një
djegësimë shumë të madhe nën shpatullën e djathtë.
E çoi dorën kah vendi nga i vinte dhembja. Mezi
që arriti ta prek. Nga shqisa e të prekurit e hetoi
se i qe fryrë paksa. U përkul. E lagu dorën dhe
filloi ta mëkojë plagën me ujë-urinën e ftohtë.
E përsëriti këtë gjest disa herë me radhë. Vazhdoi
të ecte ngadalë, duke ofsharë pandërprerë me zë
të mbytur. -Oh nënë, oh nënë. Po na mbysin krejt...
Pasi i lëshoi ofshamët nga gjoksi, iu duk se po
mirrte frymë më lehtë. Vazhdoi të qëndrojë në këmbë.
Ende pa i bërë tre rrathë, dera padiktueshëm u çel.
I pa dy policë të rinj në uniforma. Ky që ishte
i pari i dha shenjë të dilte jashtë. Tjetri po qëndronte
pas dere. Shikimi i tyre ishte i mllefosur tejmase.
Arbeni i mbuloi gjenitalet me pëllëmbë dhe u drejtua
kah dera. Sapo e kaloi pragun, i pa rrobet e veta
të shtrira mbi dyshemenë e korridorit. -Veshu, shpejt!
Urdhëri i erdhi nga polici i parë, që ende e mbante
derën hapur. Ia bëri me kokë kah teshat, ndërkohë
që luante djathtas-majtas me një rreth të metaltë,
të rënduar nga plot çelësa. Arbeni u përkul t’i
merrte brekët. Kur u ngrit, rastësisht ia lëshoi
sytë policit tjetër, i cili po qëndronte prapa derës.
E zuri duke e kafshuar buzën. E shikoi vetëtimthi
policin me çelësa. Ky po e tundte kokën. I uli sytë.
E kuptoi se ata pa fjalë, përmes gjesteve, po e
shprehnin habinë për gjurmat e torturave të rënda,
të kryera mbi trupin e tij. Vijoi të veshet. |
|
| »
VAZHDO NË PJESËN E DYTË « |
| |
|
|
|
|
|
 |
| SHEFKI
OSEKU |
|