|
|
| |
| KUNDËR
KUJT LUFTOI UÇK-ja (I) |
Kanë vajtur shtatë muaj e gjysmë qëkur mbaroi Lufta
e Kosovës, një ndër konfliktet më masmediale të
shek XX. Matja trivjeçare e forcave mes UÇK-së dhe
Beogradit, që u radikalizua në qershor 1996 e që
kulminoi me mundjen dhe tërheqjen e trupave serbe
në verën 1999, është përcjellur nga të gjitha agjencitë
e lajmeve. Në lajme, reportazhe, studime për së
afërmi, introspektiva etj, janë shestuar shumë aspekte
të kësaj lufte. Në radhë të parë, natyrisht, vëmendja
është përqëndruar te Natoja, kryesisht te njoftimet
për kapacitetin operacional të saj, etj. Pastaj,
gazetarët kryesisht i kanë shoshitur aftësitë mbrojtëse
të Beogradit, strukturat mbrojtëse të serbëve dhe
aleancat e tyre diplomatike. Mirëpo, në këto shestime
një faktor, që shumë do ta quanim kryesor, ka rënë
në hije; ai që, duke i shpallur luftë pushtetit
brutal të Beogradit dhe, njëherit, edhe symbylljes
kryeneçe të Perëndimit para gjenocidit shumëvjeçar
në Evropë, e pruri punën deri te lufta e hapur mes
Natos dhe Beogradit. Është këtu fjala natyrisht
për UÇK-në, për organizatën ilegale, fillimisht
me pak anëtarë fanatikë, e cila brenda pak muajsh
vajti e u shndërrua në një ushtri kryengritëse me
mëse 15.000 vetë nën armë. Në ditët e veta më të
shkëlqyera UÇK-ja e mbante nën kontroll efektiv
mëse gjysmën e Kosovës; epope kjo së cilës, në shek
XX, ia kalon vetëm rasti i Kryengritjes së Madhe
të vitit 1920.
Pas luftës, UÇK-ja ra pre e po atij fati politik
që e ka nënshtruar tërë kombin shqiptar gjatë shek.
XX. Ajo u çmua si e rrezikshme, meqë u vlerësua
se ekzistenca e saj kish rrezik t'i frymëzojë shqiptarët
nëpër shtetet fqinje, e në radhë të parë në IRJM
("Maqedoni"). Ky qëndrim ndaj UÇK-së, që mjerisht
gjallon ende nëpër qerthujt e diplomacisë ndërkombëtare,
pati ndikim intim te raportimet e gazetarëve të
huaj nga Kosova. Si pasojë, roli e rëndësia e UÇK-së
dhe shqiptarëve në krijimin e status quosë së re
në Siujdhesën Ilirike janë lënë në sfond. Në të
njëjtën kohë, zhdukja e emrit të UÇK-së i ka hapur
udhë shumë riinterpretimeve posteriori rreth Luftës
së Kosovës. Si të tilla tingullojnë p.sh. shumë
prej (vet)lavdërimeve lazdrane të Perëndimit. Poashtu
si të tilla, por aspak të pasherra e fundekrye qëllimkëqia,
dalin edhe pohimet e sotme të Beogradit nëpër kuloaret
diplomatike, se gjoja UÇK-ja s'paska qenë problem,
se UÇK-në serbët e paskan pasur në dorë, se UÇK-ja
paskësh qenë para zhbërjes në momentet e ndërhyrjes
së Natos, etj etj.
E vërteta është se Beogradi gjatë pranverës dhe
verës e kulminoi gjenocidin shumëvjeçar mbi popullsinë
joserbe të Kosovës, duke vrarë mëse 10.000 civilë
të paarmatosur e duke i zhvendosur prej vatrave
të veta rreth 1.5 mil të tjerë. Por, është poaq
e vërtetë se ushtria e policia serbe, as pas kësaj
barbarie të pashembullt në historinë e Evropës,
nuk arritën ta zhdukin UÇK-në. Përkundrazi, sikundër
po bëhet e ditur tani edhe nëpër mediat serbe, ushtarët
e policët serbë në Kosovë e kishin jetën në rrezik
prej UÇK-së deri në ditën e mbramë. Faktet flasin
vet: gazetarët herakë, që hynë në Kosovë për ta
regjistruar avancimin e pararojës së Natos, patën
mundësi t'i regjistrojnë edhe duarshtërngimet e
para ndërmjet ushtarëve të Natos dhe heronjve të
kësaj lufte, ushtarëve të UÇK-së. Por, le t'i lemi
"rrenat" e gazetarëve, le t'i lemi edhe "mburjet"
e komandantëve të UÇK-së. Se cila qe forca e rëndësia
e UÇK-së në Kosovë na rrëfejnë, pos tjerash, edhe
burimet serbe. Ç'thonë ato? Cilat resurse i pati
angazhuar Beogradi në Kosovë në luftë kundër UÇK-së
dhe a e mbështesin ato pohimin e Beogradit se UÇK-ja
"s'qe problem"? |
|
| »
VAZHDO NË PJESËN E DYTË « |
|
|
|
|
|
|
 |
| SHQIPTAR
OSEKU |
|