|
|
| |
| KUNDËR
KUJT LUFTOI UÇK-ja (II) |
Kundërshtarët e UÇK-së: Shërbimet e fshehta
Truri që i koordinonte të gjitha veprimet e Serbisë
kundër Kosovës dhe UÇK-së ishte - dhe është! - Shërbimi
i sigurimit shtetëror (serb. SDB). Kreu i këtij
shërbimi, trashëgimtar i denjë i OZNA-s dhe UDB-së
famëkeqe, është i vendosur në kthinat e Ministrisë
së punëve të brendshme (serb. MUP), te godina e
dikurshme e ish-Shërbimit të sigurimit federativ,
në bulevardin e Knez Milloshit në qendër të Beogradit.
Detyrën e vet, zbulimin dhe kundërzbulimin, SDB
e kryen përmes nënndarjeve të veta, Degës për kërcënime
të brendshme e ekstremistë të vendit (ish-dega për
armiq të brendshëm), Degës për shërbime analitike,
Degës për shërbim teknik, dhe Degës për personel.
Buxheti i SDB-së është sekret shtetëror; ai ndahet
nga fondet e Ministrisë së brendshme (serb. MUP)
e plotësohet nga fonde sekrete, që burojnë prej
trafiqeve të paligjshme me drogë, me armë, etj.
SDB-ja gëzon qasje të pakufizuar edhe te shumica
e sektorëve të ekonomisë, të komercit e të jetës
bankare serbe. Ky shërbim, pos tjerash, e ka detyrë
edhe ruajtjen e Millosheviçit dhe të familjes së
tij; Senta Milenkoviç, truproja e Millosheviçit,
është transferuar prej Njësitit të posaçëm të policisë
te nëndega e SDB-së që merret me ruajtjen e krerëve
të shtetit, si kuadër me detyrë që ta riorganizojë
atë sektor.
Që më 1993, SDB-ja e përqendroi kundër filizave
të UÇK-së veprimtarinë e shumicës së agjentëve serbë
të dërguar në Kosovë, secili nga të cilët e kish
nën kontroll një rrjet të spiunëve joserbë. Ky rrjet
përfshinte kolaboratorë të fshehtë të regjimit në
të gjitha shkallët e shoqërisë, prej qarqeve intelektuale-politke
në Prishtinë e deri te romët e goranët e kufirit.
Përpos mbledhjes së informatave rreth vargut të
komandës, efektivit dhe logjistikës së UÇK-së, rrjeti
i kontrolluar nga SDB-ja kish poashtu urdhër që
të përhapë dezinformata dekurajuese në popullsi.
Lufta speciale kundër UÇK-së zhvillohej në tri shkallë.
Aty ku ish e mundur, rrjeti i SDB-së përhapte dyshime
për ekzistencën e UÇK-së. Nëse kjo nuk hahej, UÇK-ja
kualifikohej si "sajesë serbe", alternativisht si
sajesë shqiptare por "që çon ujë në mulli të Serbisë".
Ndërsa aty ku nuk shkonte pazari fare, vartësit
e SDB-së kishin urdhër të kërkojnë që UÇK-ja, në
emër të korrektësisë politike etj etj, të del me
emrat e udhëheqësve të vet. Këto udhëzime ishin
përcjellur për në Kosovë direkt nga zyra e Jovica
Stanishiçit, pas konsultimeve të thukta në Degën
analitike të SDB-së. Mjerisht, në lojën e SDB-së
u përfshinë, me dashje a pa dashje, edhe një pjesë
e rezistencës qytetare shqiptare, e cila ndjehej
e sfiduar (!) nga lufta e armatosur e UÇK-së. SDB-ja
ishte aktive edhe në botën e jashtme, direkt ose
përmes mantelit diplomatik. Nëpër ambasadat e Beogradit
në shumicën e vendeve të Evropës dhe në SH.B.A.
ekziston qeliza e SDB-së, që merret me zbulim-kundërzbulim,
infiltrim dhe operacione speciale.
Në disa nga këto vende, si p.sh. në Zvicër, në Gjermani
e në Çeki, në prag të luftës dhe gjatë luftës SDB-ja
kreu operacione speciale kundër interesave të supozuara
të UÇK-së; në Zvicër u atakua me armë në mënyrë
spektakulare ish-Ministria për informacion e Republikës
së Kosovës e u kurdisën bomba në një tubim shqiptarësh;
në Gjermani e në Çeki u likuiduan persona që SDB-ja
dyshonte se luanin rol kyç në rrjetin logjistik
e informativ të UÇK-së, etj. Në shërbim të luftës
kundër UÇK-së, SDB-ja e vuri teknikën më moderne.
Pos tjerash, kundër UÇK-së u aktivua edhe sistemi
supermodern i përgjimit 2001, importuar nga Britania
e Madhe më 1990, në kohën e Ante Markoviçit. Ky
sistem i kompjuterizuar ka kapacitet t'i përgjojë
pasivisht mëse 40.000 biseda në minut, ndërsa aktivizohet
për incizim vetëm kur të përmenden të aq "fjalët
kyçe", si p.sh. UÇK, luftë, armë, etj. I njëjti
sistem u vu në përdorim edhe në përgjimin të ambasadave
të huaja në Beograd, për të cilat SDB-ja dyshonte
se kishin kontakt me UÇK-në. Kërcënimi UÇK e detyroi
SDB-në të porositë pajisje të avancuara te industria
elektronike serbe, te EI në Nish e te Instituti
Mihajlo Pupin, për punimin e të cilave kërkohej
teknologji e shtrenjtë nga Perëndimi; blerja e saj
shkaktoi jo pak probleme ekonomike. Pos kësaj, SDB-ja
u detyra të blejë në Rusi edhe 3.000 copë miniaparate
përgjuese, prej të cilave shumica u plasuan në Kosovë,
e tjerat në Serbi. Nëpër të gjitha stacionet kryesore
të policisë në Kosovë, kati i epërm ishte i mbushur
me aparaturë përgjuese, e cila i mundësonte personelit
serb t'i përgjojë pa u vërejtur të gjitha bisedat
telefonike.
Tërë ky zell i SDB-së nuk kish si të shkonte pa
asnjë sukses. Por, fatkeqësisht për të e fatmirësisht
për Kosovën, grackat që i kishin ngrehur agjentët
serbë dhe spiunët e tyre, shumica prej tyre të njohur
me emra, nuk arritën ta mbytin UÇK-në si qe paramenduar.
Sot, SDB-ja është përgjegjëse për detyrën e ndjeshme
të koordinimit të punës së agjentëve dhe të ekstremistëve
lokalë serbë kundër Kosovës së re. Sikur e dëfton
rasti i freskët i Mitrovicës, puna e tyre zakonisht
nuk mbetet pa rezultate. Në komunitetin zbulues
e kundërzbulues serb në Kosovë bënte pjesë edhe
dega me anim ushtarak, Shërbimi kundërzbulues (serb.
KOS), ndonëse në forma shumë më modeste se sa që
mendohet zakonisht. Arsyet e pasivitetit të KOS-it
ishin politike; ato kishin të bëjnë me mosbesimin
tradicional të Millosheviçit ndaj ushtrisë dhe animin
e tij kah policia, krahu i tij më besnik. Kur shpërtheu
lufta në Kosovë, KOS-i, për shkak të paranojës së
Millosheviçit, kish pësuar dobësim të ndjeshëm në
kuadro e në fonde, të cilat kishin vajtur në favor
të SDB-së. Madje, ish-kreu i KOS-it, Gjen. Aleksandër
Vasilijeviç, dhe rrethi i tij përpak i kishin shpëtuar
gjyqit e burgut, më 1992 e 1993, pas shthurrjes
së ish-Jugosllavisë. Më 1993, Millosheviçi e kish
vënë në krye të KOS-it Gjen-kol. Aleksandër Dimitrijeviç,
një besnik të vetin të verbër, praktikisht me detyrë
që ta neutralizojë KOS-in, në favor të SDB-së.
Gjatë Luftës së Kosovës, është vërejtur që KOS-it
i besohej kryesisht detyra monotone e përgjitimit
të komunikimeve të Ushtrisë Shqiptare, USH. Sot
KOS-i në parim e ka pushuar punën e vet në Kosovë.
Por SDB-së dhe KOS-it, në frontin diplomatik, si
përmendëm më lartë, kundër-UÇK ka marrë pjesë edhe
Shërbimi i informacionit dhe dokumentacionit (serb.
SID), një mantel i krijuar tash vonë pranë MUP-it
për ta mbuluar spiunazhin diplomatik. Përgjimi i
ambasadave të huaja që dyshohej se kishin lidhje
me UÇK-në, si p.sh. i asaj shqiptare, amerikane,
britanike, gjermane, etj, bëhej p.sh. nga SID-ja,
në bashkëpunim të ngushtë me SDB-në, e cila i siguronte
dhe koordinonte të hollat, kuadrot dhe pajisjet
teknike. SID-ja ka qenë kryesisht aktive në Beograd
dhe disa herë në botën e jashtme. Në Kosovë, që
është trajtuar si zonë lufte, përgjimi p.sh. i Zyrës
informative amerikane ka mbetur detyrë e agjencisë
më me përvojë, SDB-së. |
|
|
»
KËTHEHU NË PJESËN E PARË «
| »
VAZHDO NË PJESËN E TRETË « |
|
|
|
|
|
|
 |
| SHQIPTAR
OSEKU |
|