SOT ËSHTË | ORA | VITI
 
 
 
KUNDËR KUJT LUFTOI UÇK-ja (III)

Policia
Garnizoni i uniformuar serb në Kosovë që u angazhua në fushëbetejë kundër UÇK-së përbëhej prej një laryshie të forcave të ndryshme. Forca më e madhe përbëhej prej policisë serbe, të komanduar nga Ministria e punëve të brendshme (serb. MUP). Gradualisht, prej të aq "revolucionit antibyrokratik" të Millosheviçit e këtej, MUP-i është bërë bedemi kryesor i regjimit në Beograd, meqë Millosheviçi, si përmendëm, s'para u beson eprorëve ushtarakë. Në vitin 1999 p.sh., Beogradi për buxhetin e MUP-it ndau 6 md USD, ndërsa për Ushtrinë Jugosllave (serb. VJ) vetëm 1 md USD. Sipas burimeve kompetente, buxhetit të MUP-it duhet shtuar edhe gati 3 md USD nga fondet e fshehta prej trafiqeve të paligjshme me droga, me armë, etj. Kreu i MUP-it është përherë besnik i Millosheviçit; për një kohë të gjatë në krye të saj ka qenë Jovica Stanishiç, një ndër veglat më qorre të führerit serb, kryetar i organit suprem për çështje të sigurisë në Beograd, Këshillit të sigurisë. Në këtë detyrë, Stanishiçi gëzonte kontroll të plotë mbi SDB-në, mbi komunitetin informativ ushtarak, si dhe mbi Shërbimin për informacion e dokumentacion (serb. SID).

Jovica Stanishiçit i janë dhënë publikisht meritat për zbulimin e hershëm të UÇK-së; ai përmendej si Armiku Nr 1 i UÇK-së. Në përgjithësi, tërë kuadrot e MUP-it, para se t'u ngjiten shkallëve të karrierës, më së pari është dashur të dëshmohen në "frontin e Kosovës". Numri i pjesëtarëve të uniformuar në MUP është rritur gradualisht gjatë viteve '90. Më 1990, MUP-i i kishte mëse 40.000 pjesëtarë; më 1995 mëse 80.000 pjesëtarë aktive plus të tjerë në rezervë; ndërkaq më 1997, raportohet se MUP-i i ka rreth 120.000 pjesëtarë të uniformuar. Policia serbe ish e vendosur jo vetëm nëpër stacione e nënstacione, por edhe në kazermat e ushtrisë. Për sa i përket Kosovës, vetëm në Prishtinë ekzistonin shtatë stacione kryesore e katër nënstacione. Tjera stacione kryesore ka patur në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, dhe Prizren, secili i pajisur me facilitete të avancuara për përgjim të komunikimeve, të hapura vetëm për SDB-në. Hordhitë e MUP-it që hidheshin kundër njësive të UÇK-së ishin të paguara më mirë se ushtria e rëndomtë e të pajisura me 150 transportues të blinduar (TB) e me 170 mortaja 82 mm, si dhe me helikopterë.

Formacioni më i fortë i MUP-it i përdorur kundër UÇK-së ishte Njësia e posaçme e policisë (serb. PJM), e quajtur në media edhe Njësia antiterroriste e policisë ose Njësia e ndërhyrjes së shpejtë. Kjo njësi, që për detyrë parësore e ka ruajtjen e godinave zyrtare në Beograd dhe kontrollin e trazirave urbane, në shkurt 1998 dërgoi në Kosovë, me urdhër enkas të Jovica Stanishiçit, një efektiv prej 700 vetësh, të cilit fillimisht iu ngarkua detyra e asgjësimit të UÇK-së në Drenicë. Njësia e posaçme e policisë qe grushti i hekurt i garnizonit serb në Kosovë, të stërvitur shtatë ditë në javë në përdorim të armëve të zjarrta e të ftohta e në mjeshtri luftarake, si dhe me përvojë të paçmueshme lufte nga Kroacia e Bosnja. Shef i Njësisë së posaçme të policisë është Franko "Frenki" Simatoviç, Ndihmëszëvendësministër për punë të brendshme në Serbi; vartësit e tij quheshin mes veti edhe "Kaubojët e Frenkit". Simatoviç është besnik i paluajtshëm i Millosheviçit, që ka avancuar rrufeshëm në karrierë duke e organizuar ndihmën e Beogradit për serbët e Bosnjes gjatë luftës atje. Krahu i tij i djathtë është Raja Bozhoviç; që të dy këta kanë qenë disa herë në Kosovë, në Prishtinë, Pejë e gjetiu, për t'i inspektuar trupat e veta.

Vizitat e tyre s'ishin të kota; në ato pak raste të rralla kur UÇK-ja ka arritur ta shtie në dorë kufomën e ndonjë pjesëtari të kësaj njësie (ata u bënë të njohur, pos tjerash, edhe duke i tërhequr me çdo kusht kufomat e shokëve të vrarë), te ta janë gjetur p.sh. çizme cilësore nga Perëndimi, që kushtojnë nga 200 USD. Kjo njësi, e cila më 1998-1999 e la tërësisht kazermën e vet "13 Maji" në Beograd për të luftuar në Kosovë, ka bashkëpunuar ngusht me ekstremistët ndër "Vullnetarët serbë" të Arkanit, të njohur si Tigrat, si dhe me "Skyfterët e bardhë" (Beli orlovi) të Sheshelit. Njësia e Franko Simatoviçit është vënë në përdorim në shumë fronte të Kosovës, prej Drenicës e deri te Alpet Shqiptare. Kjo njësi, në bashkëpunim me ekstremistët lokalë serbë të njohur me emra, është fajtore, pos tjerash, edhe për dy masakrat më famëkeqe gjatë Luftës së Kosovës, të asaj në Prekaz si dhe të asaj në Reçak.

Njësitë speciale të policisë (serb. SJP), formacione këto më masive në numër se sa ai PJM, janë formuar sipas modelit rus të ushtrisë së brendshme dhe e përbëjnë trungun e forcave të MUP-it që janë hedhur kundër UÇK-së. Ato kanë një efektiv burimor prej 7.000 vetësh, që në rast nevoje është plotësuar me efektiv nga njësitë tjera dhe me ekstremistë lokalë. Gjatë stacionimit në terren ato fitonin mëditje të majme, kurse ishin të pajisura me njësi artilerike, me njësi raketore me shtretër shumëgrykësh, me artileri kundërajrore, si dhe me 14 automjete të blinduara Praga, të armatosura me kundërajror të kompjuterizuar zjarrkthyes 14.5 mm. Pragat u përdorën për herë të parë në Kosovë, pasi Beogradi i kish blerë krejt vonë, në qershor 1997, dhe shkaktuan jo pak dëm në radhët e UÇK-së. Njësitë speciale të policisë njiheshin si "Beretat e kuqe"; emërtim ky që i fyente forcat speciale të ushtrisë, të cilat e quajnë veten poashtu "Beretat e kuqe".

Totali i numrit të angazhuar nga MUP-i në Kosovë, përfshirë këtu edhe Njësinë e posaçme të policisë, mbahet ende sekret shtetëror. Burime të mirinformuara vlerësojnë se MUP-i në Kosovë i ka patur të stacionuar mesatarisht rreth 40.000 trupa, 28.000 të uniformuar dhe 12.000 në veshje civile. Dihet p.sh. se shpenzimet për ta mbajtur garnizonin në Kosovë e përbënin mëse gjysmën e buxhetit total të MUP-it, apo diku rreth 4.5 md USD / vit. Një numër i konsiderueshëm i efektivit nga radhët e njësive të MUP-it, shumica e të cilëve njihen me emra, kanë mbetur në Kosovë, për t'i organizuar e mbështetur, në koordinim të SDB-së, provokimet kundër shqiptarëve dhe Natos, si p.sh. rastin e fundit të Mitrovicës.
» KËTHEHU NË PJESËN E DYTË « | » VAZHDO NË PJESËN E KATËRT «
SHQIPTAR OSEKU
 
Kryeredaktor:
Shefki Oseku

Redaktor balline:
Kosovar Xhakoli
  DRITA
c/o Sh. Oseku
Hamngatan 24 231 42
TRELLEBORG
TELEFONI: 0410-182 66
TELEFAKSI:0410-413 13
COPYRIGHT © 2001 | INFO@REVISTADRITA.COM | KJO FAQE ËSHTË NDRYSHUAR MË: 05.06.2001 13:24