|
|
| |
| KU
VAJTËN ALTERNATIVAT POLITIKE!? |
Shtatë muaj pas hyrjes së trupave të Natos dhe katër
muaj para mbajtjes eventuale të zgjedhjeve të para
vërtetë të lira, qenia politike shqiptare ka plot
arsye të jetë në prag të dëshpërimit. Nuk di njeriu
të qeshë a të qajë: votuesi i emancipuar në Kosovë,
ndonëse i lirë, nuk ka sot ku ta hedhë votën e vet
as djathtas, as majtas, pasi s’ka gjëkundi as platformë
të majtë, e as aso të djathtë. Në mars të vitit
2000, kur është thënë se do të mbahen zgjedhjet,
qytetari kosovar rrezikon, thjesht, ta provojë një
variant primitiv e gjysmëfeudal të demokracisë,
ku do të detyrohet të zgjedhë mes tre – katër personave
të fuqishëm, në vend se të zgjedhë mes programeve
të ndryshme politike.
Natyrisht, si çdo problem, edhe ky i ka shkaqet
e veta. Një vend që sapo ka dalur nga lufta e një
popull që i ka shpëtuar gjenocidit për një fije
floku duan kohë për të rënë në vete. Kosova, me
zhvarrimet e rivarrimet e veta masive, me politikanët
që ende akuzohen ndërsjelltasi për tradhëti lufte
e me një mori të armëve të paligjshme, s’është në
formën më optimale për zgjedhje. Zjarmia emocionale
plus anarkia politike janë kombinim i rrezikshëm,
e aq më tepër në një vend rural e pa traditë demokratike.
Ç’është e drejta, sikur të mos ishte përngut krijimi
i një administratë shqiptare para se të kryhen ndërrimet
në Serbi, zgjedhjet në Kosovë do të duhej shtyer
së pakut edhe një vit, e mbase edhe më shumë.
Mirëpo, si çdoherë, koha s’pret. Pas largimit të
pashmangshëm të Millosheviçit nga kreu i Serbisë,
gjë që mund të jetë më afër se sa mendohet, ekzistenca
e një administrate të mirëfilltë shqiptare do të
jetë "të jesh, a të mos jesh" për Kosovën. Për këtë
arsye, zgjedhjet duhet mbajtur patjetër, sa më shpejtë
dhe me çdo kusht. Këtë punë klasa politike kosovare
e di fort mirë. Rrjedhimisht, programet e qarta
do të duhej të ishin prioriteti i saj i parë. Mirëpo,
në një shembull tipik të papërgjegjësisë politike,
ajo këtë punë e ka vënë në bisht të sorrës. Krahët
politikë kosovare as kanë prezentuar e, me sa vërehet,
as e kanë ndërmend të prezentojnë ndofarë programi.
LDK mbështetet plotësisht në idhujtarinë rreth z.
Rugova dhe ka qejf të mendojë se është "llastare
e Perëndimit". Krahu i Thaçit dhe PPDK, në anën
tjetër, duket se kanë vendosur t’u mëshojnë "meritave
të luftës". Etiketimet rigojnë, "komunistë", "pacifistë",
"tradhëtarë". Sipas matjeve herake të opinionit,
në këtë "demokraci a-la Indi" LDK-së po i vejnë
punët ca më mirë, pasi Rugova është magnet i fortë
për tërë ata që dinë veç të vëjnë gisht. Po çka
e si e kanë ndërmend të bëjnë konkretisht këta zotërinj,
për t’i zgjidhur nyjet e fatit të Kosovës? Asnjeri
s’e di tamam. E si duket, më së paku e dinë ata
vetë. Nuk ka dyshim që, nëse punët vazhdojnë kështu,
të gjithë krahët kosovarë humbin, kush më pak e
kush më shumë, e fitues është vetëm Serbia e etshme
për revansh. Por, humbësi absolutisht më i madh
është e djathta shqiptare. Mungesa e ndarjeve të
mprehta majtiste – djathtiste i intereson pikërisht
të majtës, pasi ajo, për shkak të zhvillimeve globale,
një matje të tillë forcash e ka të humbur që në
fillim. Ajo që është tragjike –dhe habitëse!- është
fakti se një platformë të besueshme s’po e përpilon
dot as e djathta, edhepse e ka një shans unik, ndoshta
të papërsëritshëm, që ta bëjë këtë e papenguar nga
ndikimet e jashtme.
Temat tradicionale të së djathtës, morali, gjasat
e barabarta në shoqëri, perspektiva nacionale, asnjëra
nga këto nuk eksploatohen, mjerisht; në radhë të
pari ngase flamuri i të djathtës është uzurpuar
krejtësisht prej alternativës oportuniste të z.
Rugova. Personalisht, si një që e gjen veten të
ankoruar fuqimisht në krahun e djathtë, kjo gjë
më brenë më së shumti. Kjo që në Kosovën e sotme
e ka për prijës shembëlltyrën anemike të Ibrahim
Rugovës është një disfatë tmerrësisht diskredituese
për të djathtën. Në planin afatgjatë, pa marrur
parasysh rezultatin e zgjedhjeve në mars, kjo mund
të hyjë në libra historie si Lëshimi i Pafalshëm
i nacionalizmit shqiptar. Fakti që shtresa politike
shqiptare as sot e kësaj dite nuk është në gjendje
që të prezentojë alternativa të kthjellta e racionale
për Kosovën është padyshim një defekt tejet serioz.
Ngushëllimi i vetëm është ai mësimi i vjetër, se
secili e blen plisin sipas kokës.
Në mungesë të përgjegjësisë te politikanët, njeriut
i mbetet të shpresojë te zgjedhësit. Në fakt, në
demokracinë e mirëfilltë, mbi zgjedhësin e emancipuar
bie një detyrë poaq e rëndë sa edhe mbi politikanin,
pasi zgjedhësi duhet të dëshmojë se s’lejon të përdoret
si kope elektorale. Elektorati mundet dhe duhet
të kërkojë prej politikanëve shqiptarë që t’i prezentojnë
konkretisht planet e tyre bashkim kombëtar, për
stabilitet ligjor dhe përparim ekonomik. Atyre do
kërkuar program, përnjëherë e këtu, sa s’është bërë
vonë. Dhe kjo më së shumti për hir tonin por, mjerisht
që duhet thënë këtë kështu publikisht, edhe për
hir të vetë politikanëve tanë. |
| |
|
|
|
|
|
 |
| SHQIPTAR
OSEKU |
|