SOT ËSHTË | ORA | VITI
 
 
 
MITROVICA NË FLAKË

Shpërthimi i dhunës në Mitrovicë mund të quhet i shëmtuar, prekës, çmeritës. Opinionit perëndimor, të mësuar me tjera skema, seria e përleshjeve të përgjakshme gjatë javës mund t’i është dukur spontane. Ekstremistët shqiptarë e goditin me tromblon një autobus serb diku ndër fshatra, ekstremistët serbë në Mitrovicë ahmirren duke hedhur bomba dore kundër shqiptarëve, dhe frik, kursi i ngjarjeve u ikë prej duarve ekstremistëve të të dy palëve. Scenario klasike, pra, sikur të ish kopjuar prej indigos irlandeze. Veçse Kosova nuk është Irlandë.

Në Kosovë s’bëhet fjalë për përleshje të dy komuniteteve etnike a religjioze, secila me organizim të vetin intern. Apo më konkretisht, kjo formulë nuk vlenë për komunitetin lokal serb, meqë ai kontrollohet e manipulohet krejtësisht prej Beogradit. Ose, edhe më konkretisht, prej adresës Knez Mihajlova në qendër të Beogradit, ku është e vendosur SDB-ja, Shërbimi i sigurimit shtetëror - arma më besnike e regjimit të kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviç. Që nga i aq "Revolucioni antibyrokratik", kur oponentëve të Millosheviçit "u ndodhi populli", nëpër luftërat në Kroaci e në Bosnje, e deri në rastet e dokumentuara gjërë e gjatë në luftën e Kosovës, SDB-ja e ka përkryer deri në art kryerjen e operacioneve nën rrogoz. Natyrisht, gjurmët nuk treten dot kurrë tërësisht. Por, për Beogradin mjafton që të ruhet sa të mos kapet me pelë për dore; për të tjerat kujdesen miqtë.

Në rastin e Mitrovicës, fërkemët e SDB-së shihen prej së largu. Praktikisht të gjithë liderët e komunitetit serb në Mitrovicë, zz. Zhivorad Igiç, Oliver Ivanoviç, peshkopi politikan Artemie etj, të gjitha këto figura janë të njohura fort mirë për inteligjencitë perëndimore, si bashkëpunëtorë të SDB-së. Në të kaluarën, këta persona janë shërbyer me kulaç e me kërbaç për ta mobilizuar komunitetin serb kundër popullsisë rrënjëse shqiptare, jo rrallë nëpër aradha paraushtarake e në shërbimet sekrete serbe. Sot ata, të dirigjuar gjithnjë nga SDB-ja, orvaten me mish e shpirt që ta permanentojnë copëtimin de facto të Kosovës. Millosheviçi ia humbi Serbisë koloninë e vet, Kosovën. SDB-ja, përmes agjentëve të vet lokalë, duhet tash ta realizojë Planin B, copëtimin e Kosovës, për t’ia hapë udhën Kthimit të Madh. Ky plan është sekret publik për këdo që e njeh politikën e Beogradit. Prandaj, pastrimi etnik i Mitrovicës s’mund të konsiderohet si befasi. Njëherit, s’bën të thuhet as se ai është ekstremizëm. Për Beogradin e piunët e vet në Kosovë, pastrimi etnik i shqiptarëve, në tërësi a në pjesë, është traditë, "Procedurë standarde e operimit". Ka indikacione të forta që flasin se ky plan po realizohet me mbështetje prej Francës, anëtare e Natos dhe një ndër fuqitë që ndërhynë me armë kundër regjimit të Millosheviçit, por, njëherit, aleate tradicionale e Serbisë në skemat e ndërlikuara ballkanike. Franca ka treguar rezerva të mëdha ndaj vijës amerikane gjatë luftës ajrore të Natos, duke kërkuar vazhdimisht me ngulm që Serbia të kursehet sa më shumë. Ky qëndrim francez është bërë publik pas luftës nga eprorët më madhorë amerikanë në radhët e Natos.

Tash shumëkush dyshon se Franca po orvatet të udhëheqë politikë krye në vete në Siujdhesën Ilirike, për ta sabotuar Rendin e Ri amerikan në këtë nënqiell. Sipas disa burimeve unanime e të orientuara mirë, të cilat dëshirojne të mbeten anonime, Parisi zyrtar, ndërsa nuk do dhe as nuk mundet ta mbështetë regjimin aktual serb, është tejet i interesuar t’i afrojë opozitës serbe shenja largvajtëse miqësie , shumë më amicioze se sa p.sh. që është i interesuar të japë Uashingtoni: ruajtje të qerthujve serbë në Veri, si dhe kthim relativisht të shpejtë të Kosovës në kuadër të Serbisë në rast të rrëzimit të Millosheviçit. Për Francën, që është anëtar fuqiplotë në Nato e anëtar permanent në Këshill të sigurimit, me kontroll mbi K-Forin gjegjësisht Unmikun, këto premtime nuk janë fjalë boshe. Prandaj, dyshohet se K-Fori francez i toleron qëllimisht e me dije të plotë aktivitetet rreth Planit B në Mitrovicë. Qëllimi i Parisit është që ta kthejë planin e Millosheviçit kundër tij, duke e ngadalësuar copëtimin e Kosovës nga projekt afatshkurtë në projekt afatmesëm dhe, rrjedhimisht, në resurs të opozitës serbe; Kosova, pra, si peshqesh kurorëzimi për opozitën serbe. Të paktë janë ata diplomatë të huaj në Kosovë që nuk e kanë kuptuar këto prapaskena në Kosovë. Ndër të painiciuarit, mjerisht, duket se bën pjesë kryeqeveritari francez i administratës ndërkombëtare, z. Bernar Kushner, burrë i përkushtuar ndaj idealeve humaniste, i njohur gjithandej për integritet të pacenueshëm personal.

Por fatmirësisht, gjykuar nga reagimet e deritanishme të zyrtarëve të lartë amerikanë, prapaskenat kosovare nuk janë të panjohura për Uashingtonin. Në komentet absolutisht të para rreth ngjarjeve në Mitrovicë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, z. Xhejms Rubin, tha se "armiqësitë në Kosovë në disa raste po stivohen haptazi prej kryetarit Millosheviç në Beograd, i cili, kur punët na shkojnë keq, ka ndjenjën se për të qenka ditë e mbarë". Ndërkaq zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, z. Xho Lokhart, u kujdes që të thotë troç se "Ne e refuzojmë kategorikisht idenë e parashtruar prej disa serbëve, se rruga e vetme për të ecur më tej qenka ndarja [e Kosovës]". Natyrisht, komente si këto s’kish se si të mos nxitin kundërveprime. Kolonel-lëjtnant francez Hening Filip, që shërben në Kosovë si zëdhënës i Unimkut, i tuboi shpejt e shpejt gazetarët për t’u shprehur mendimin e vet, se ai vet "s’kish parë ndonjë dëshmi" (!) të infiltrimit të Beogradit ndër serbët e Kosovës, ndërsa znj Beatris Lakost, franceze natyrisht, zëdhënëse e Unmikut lokal në Mitrovicë, u tha gazetarëve se serbët "kanë arsye të ligjshme" që të tremben, pasi i druajnë (sic) "invazionit shqiptar". E kështu me radhë, drugëza e deklaratave vazhdon të endet para-prapa; e me të vazhdon të tjerret hollë-hollë edhe fati i Kosovës. Ajo që është më tragjikja në këtë mes është fakti se shqiptarët, viktimat e parapëlqyera në orgjitë gjenocidale të Beogradit, nuk kanë më asnjë kontroll mbi këtë lojë, që tani zhvillohet tepër lartë mbi kokat e tyre. Me përçarjen e vet kronike, krerët e politikës shqiptare e kanë zhvlerësuar veten tmerrësisht në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, si në Kosovë, ashtu edhe te urdhërdhënësit e tyre nëpër botë, qofshin ata miq apo skeptikë.

Lajmet për "revanshizmin" shqiptar ia kanë ngrënë, njëherit, dheun nën këmbë edhe argumentit moral, që ishte bedemi i vetëm i aspiratave shqiptare në Siujdhesën Ilirike. Ndërkaq, aq sa kanë humbur autoritet jashtë shqiptarët, po aq ka imponuar përkundrazi me gjeturi e qëndrueshmëri armiku i tyre i lashtë, Serbia. Kjo është e vërteta, të cilën neve shqiptarëve na duhet thënë haptazi e në sy. Puna ka vajtur deri atje sa, në sytë e botës, fajin për trazirat në Mitrovicë e ndajnë edhe shqiptarët – ndonëse vetëm ata janë të detyruar t’i lënë shtëpitë e veta me mijëra! Megjithatë, "arsye për panik nuk ka", përsëritin si për mësysh krerët shqiptarë. Dhe vërtetë, për sa kohë që në Uashington sundon administrata e tanishme e z. Klinton, e në krye të Serbisë krimineli i luftës Millosheviç, ne mund të vazhdojmë të krehemi, pasi, shyqyr Zotit, nuk jetojmë të gjithë në Mitrovicë e s’na kap zjarri. Veçse ka drojë që ky ngushëllim do të na del i shkurtë. Zgjedhjet presidenciale po aviten në SH.B.A. dhe, pa marrur parasysh se kush fiton në to, prania amerikane në Kosovë do të jetë temë debatesh të forta, si në Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Francës. (Parisi zyrtar p.sh. ka kohë që e sponzoron idenë e zëvendësimit të K-Forit me të aq Eurotrupat, Eurocorps, në përbërje Nato minus Amerika!) Pos kësaj, ndërrimet në përbërjen e K-Forit në Kosovë duken edhe ashtu të pashmangshme për shkak të barrës kolosale të shpenzimeve.

Në fund të fundit, në Kosovë ka rrezik të mbeten vetëm ata që kanë motive regjionale, dtth evropianët. Andaj, duket ironike por është më se e vërtetë: shqiptarët, me liderët që i kanë në krye, ka mbetur t’i luten Zotit t’ia shtojë ditët Millosheviçit, gjaksorit të tyre të vjetër. Sepse, sapo të bie ai, Serbia, me ndihmën e miqve, s’është largë menç t’i qesë tanket prapë, për t’i flladitë pak atje në Koshare, ashtu demokratikisht kuptohet, në frymën e bashkëjetesës e stabilitetit. Meqë politikanët tanë jostabilë s’jetokan dot me njëri-tjetrin, ndoshta do të mësojnë të jetojnë, sërish, dhe këtë në mënyrë bukur më stabile, me turistët serbë mbi tanke. Fundja, prova gjenerale, kallja flakë e Mitrovicës, tregoi kthjelltë: shqiptarëve të përçarë, kundër serbëve e bashkësisë ndërkombëtare bashkë, nuk ua qet pazari.
 
SHQIPTAR OSEKU
 
Kryeredaktor:
Shefki Oseku

Redaktor balline:
Kosovar Xhakoli
  DRITA
c/o Sh. Oseku
Hamngatan 24 231 42
TRELLEBORG
TELEFONI: 0410-182 66
TELEFAKSI:0410-413 13
COPYRIGHT © 2001 | INFO@REVISTADRITA.COM | KJO FAQE ËSHTË NDRYSHUAR MË: 05.06.2001 13:24