|
|
| |
| URDHËRIN
E DHA PERSONALISHT KLINTONI |
Si e provokuan kinezët mërinë e amerikanëve. Çka
fshihej në qilarin e ambasadës kineze në Beograd.
Ekspertët në çatinë e ambasadës. Cilët fshehen pas
akronimit sekret "ATG" në Nato. Stokholm, 7 nëntor
– Ajo që e dyshonte shumëkush, e më së shumti kinezët,
po vërtetohet katërçipërisht. Bombardimi i ambasadës
kineze në Beograd nuk qe kurrfarë gabimi. Kështu
u ka rrëfyer një burim brenda Natos gazetave britanike
"The Observer" dhe asaj daneze "Politiken". Burimi,
identiteti i të cilit mbetet sekreti më i ruajtur
i këtyre gazetave, ka pohuar poashtu se urdhëri
për bombardimin e ambasadës kineze ka ardhur direkt
prej kryetarit amerikan, Bill Klintonit.
-Ambasada qerthull ushtarak
Sipas këtij burimi, qarqet e Natos ishin të irrituara
me kohë prej kinezëve. Në fakt, shërbimet zbuluese
perëndimore kishin marrur vesh që ambasade kineze
në Beograd kish vendosur bashkëpunim të ngushtë
me ushtrinë serbe. Në prag të bombardimeve, armata
serbe madje kish kërkuar dhe kish marrur leje prej
ambasadës që në qilarin e ambasadës të vendosë pajisje
për radiolidhje. Të paralajmëruar për këtë aranzhman
serbo-kinez, Nato i vëzhgonte me kujdes radiotransmetimet
prej qilarit të ambasadës kineze. Ne e dinim që
radiotransmetimet e ushtrisë serbe vinin prej ambasadës
kineze shumë kohë para se të fillonin bombardimet,
i ka thënë burimi sekret gazetës daneze Politiken.
Andaj, intensifikimi i tyre pas nisjes së fushatës
ajrore kundër serbëve nuk shpëtoi pa u vërejtur.
Njoftimet e këtij burimi janë vërtetuar edhe prej
disa personave tjerë, kryesisht brenda Departamentit
britanik të mbrojtjes.
-Pika që mbushi kupën
Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, radiotransmetimet
nuk ishin arsyeja e vetme që shpiu deri te bombardimi
i godinës së ambasadës. Ato qenë irrituese, por
jo ndonjë kërcënim për Naton. Veprimtaria e ambasadës
kineze u bë kërcënim pas shkallëzimit të punës së
kinezëve në Beograd. Mu në vlug të fushatës ajrore
në ambasadë u shfaqën ekspertë të teknikës raketore,
të cilën instaluan aparaturë të avancuar në çati
të ambasadës. Njoftimet e shërbimeve informative
perëndimore ishin unanime. Kinezët po orvateshin
ta sofistikojnë sistemin e vet të mbrojtjes kundërraketore,
në radhë të parë sistemit e zbulimit dhe përcjelljes
së raketave kryqëzore. Lufta e Gjirit Persik më
1991, kur Sadam Hyseini u gjunjëzua ndërsa viktimat
perëndimore numëroheshin në gishtat e duarve, i
kish bindur gjeneralët kinezë se armata e tyre prej
3.5 mil frymësh ishte e paaftë që ta luftojë Perëndimin.
Që atëherë, në Perëndim kishin vërejtur me brengosje
se si kinezët po investonin shumë në përsosjen e
sistemeve të veta bërthamore e raketore. Pas rrëzimit
të papritur të ajrorit "të pazbulueshëm" amerikan,
Stealth, brenga e Natos u shumëfishua. Shërbimet
perëndimore e morën me mend që kinezët mund të ndërronin
informata, psh aso nga çatia e ambasadës, për pjesë
të Stealthit.
-Vija "sipërore" e komandës
Megjithatë, vendimi për bombardim të ambasadës kineze
nuk kish teori të miratohet në mënyrë formale. Amerikanët
mezi kishin arritur t’i bindin evropianët që të
hyjnë në luftë me Serbinë. Ç’është më keq, Pentagoni
kish vërejtur gjatë tërë fushatës ajrore se serbëve
po u venin informacione sekrete direkt prej Natos.
Kazermat errësoheshin me kohë, urat dhe rrugët zbrazeshin,
nganjëherë vetëm një çerek ore para goditjeve ajrore.
Pas rrëzimit të Stealthit, amerikanët e kuptuan
përfundimisht që dikush a disa nga eprorët evropianë
po spiunonin për serbët. Prandaj, ata vendosën ta
zbatojnë krye në vete planin e vet supersekret:
goditjen e ambasadës së një vendi të tretë, me potencial
bërthamor dhe nominalisht neutral. Fushata kundër
Serbisë e kishte nxjerrë efektivisht nga loja që
ditën e parë vijën formale të komandës në Nato.
Në vend të saj ishte etabluar një vijë dytësore,
në të cilën gjen. Uestli Klark i paraqiste propozimet
e veta para grupit të përbërë prej Sekretarit të
përgjithshëm të Natos, z. Havier Solana, Klintonit
dhe tre burrështetasve evropianë, Shirak, Bler dhe
Shrëder. Mirëpo amerikanët, të mësuar të mos i shtijnë
kurrë të gjitha vezët në një shportë, e kishin etabluar
edhe një vijë të tretë të komandës, që, në rast
nevoje, t’u vente përsipër të gjitha tjerave. "Attack
Targeting Organization", Organizata për shënjestrim
sulmues, ekzistenca e së cilës është bërë e njohur
botërisht këtyre ditëve, është e aq. "vija sipërore
e komandës", që ka autorizim t’ia lëshojë aviacionit
amerikan urdhërin për bombardim direkt prej kryetarit
amerikan, pa asnjë përzierje nga ana e partnerëve
të Natos.
-Goditje e paralajmëruar
Burimet brenda Natos, të cilat kanë folur me media
me kusht që të jenë anonime, kanë thënë se mendojnë
që Nato duhet t’u ketë dhënë një vërejtje diskrete
kinezëve që ta pushojnë veprimtarinë e vet në Begrad.
Goditja kundër godinës së ambasadës, thonë ata,
sigurisht ka ardhur vetëm pas kësaj vërejtjeje,
pasi Pekini zyrtar i ka shtënë veshët në lesh. Mu
kjo edhe është arsyeja pse kinezët ishin aq këmbëngulës
në akuzat e veta kundër amerikanëve; si thotë një
nga burimet e mediave, "ata e dinin që amerikanët
e dinin". Këto burime janë unanime. Vendimi përfundimtar
për goditje është marrur direkt nga kryetari Bill
Klinton, me rekomandim të Shtatmadhorisë amerikane,
dhe u është përçuar fluturuesve amerikanë nëpërmes
"vijës sipërore të komandës", "Attack Targeting
Organization". Natyrisht, të gjitha këto njoftime
mohohen me ngulm si nga amerikanët, ashtu edhe nga
partnerët e tyre evropianë. Administrata e Klintonit
madje i ka afruar Pekinit një dëmshpërblim modest
për, si thuhet, "gabimin tragjik" që "i ka turbulluar"
marrëdhëniet e dy vendeve.
-"Për inat të vjehrrës…"
Tash për tash, "Rreziku i verdhë" për vendet perëndimore
është i papërfillshëm. Përkundër numrit të madhe
të ushtarëve nën armë, 3.5 mil frymë, forcat e armatosura
kineze nuk paraqesin rrezik për potencialet ushtarake
të Perëndimit. Armatimi bërthamor i kinezëve është
ende fillestar dhe defanziv. Kina disponon me shtretër
raketorë jomodernë dhe gjithsejt 30 raketa ndërkontinentale,
krahasuar psh me Amerikën që i ka mëse 10.000 copë.
Mirëpo, Kina e ka investuar një pjesë të madhe të
buxhetit të vet për zhvillim të ushtrisë. Armata
kineze e ka një sektor masiv ekonomik, që ka në
dorë mijëra ndërmarrje e sipërmarrje civile që shkojnë
me fitim. Ndërkaq analistët perëndimorë dyshojnë
që armata kineze furnizohet edhe me fonde tjera
sekrete nga ana e qeverisë kineze. Paradoksalisht,
këndellja e forcimi i armatës kineze bëhet edhe
me ndihmë të Perëndimit. Pas një hetimi të thuktë,
policia amerikane ka konkluduar sivjet se Kina ka
vjedhur sistematikisht sekrete teknologjike nga
industria amerikane. Raporti Koks, i quajtur kështu
ngaqë u publikua nga kongresisti Kristofer Koks,
thekson se Kina sigurisht është duke i vjedhur edhe
më tutje sekretet teknologjike të Perëndimit.
Në raport me shqiptarët, Kina ka luajtur një politikë
tejet dyfytyrëshe. Pekini për vete e ndjekë haptazi
politikën irredentiste, me anë të së cilës e ka
arritur tashmë bashkëngjitjen e Hong-Kongut dhe
po e kërkon tashti edhe bashkëngjitjen e Tajvanit.
Por, kur vie fjala te Kosova, Pekini ka zgjedhur
të këndojë hymne për "integritetin territorial"
të Serbisë. Shkaqet e këtij qëndrimi janë dy. Kina
u druan përzierjeve perëndimore në Tibet, por edhe
kritikave për shkelje të të drejtave humanitare.
Ndërhyrja e Natos në Kosovë u ka bërë me dije pushtetmbajtësve
diktatorialë në Pekin se ata nuk mund të flejnë
më njësoj të qetë si më parë.
E ky leksion i papritur nuk është harruar ende në
Pekin. Opinioni kosovar mundet lirisht të presë
edhe intermeco tjera kineze në të ardhshmen. Mirëpo,
s’është vështirë të merret me mend që ato do të
jenë shumë më subtile se episodi i ambasadës kineze
në Beograd. Nëmos për arsye tjera, atëherë ngase
Pekini, sigurisht, nuk ka hesap të ndërtojë nga
një ambasadë të re secilën herë që t’a nxisë mërinë
e amerikanëve. |
| |
|
|
|
|
|
 |
| SHQIPTAR
OSEKU |
|